Deputeti i Vetëvendosjes, Adanan Rrustemi, me mëngjes të ditës së mërkurë, iu ka dëguar selam ambasadorëve të huaj në Kosovë, që të mos e vizitojnë Gjykatën Kushtetuese, sepse sipas tij, po e shkatërrojnë atë.
Rrustemi në një intervistë për Ekonomia Online, ka vazhduar, në mbrojtje të këtij qëndrimi duke shtuar se ambasadorët duhet të na lënë të gabijmë vet.
“Gjykata Kushtetuese në këtë periudhë, deri më 31 mars, ka nevojë për t’u lënë që ta trajtojë rastin mbi baza meritore, objektive, të paanshme, të pandikueshme dhe të nxjerrë në fund një aktgjykim meritor. Unë e përsëris edhe njëherë, mbase e keni parasysh, unë kuptoj edhe interesin e diplomatëve për zhvillimet politike në Kosovë. Kjo është legjitime. Në këtë periudhë mendoj që është me rëndësi ta lënë edhe Gjykatën Kushtetuese, por edhe Kosovën në fund të fundit, që të përballet vetë me këto procese, sepse sado të vështira në dukje, këto e maturojnë Kosovën, e pjekin Kosovën edhe politikisht edhe institucionalisht. Le të na lënë të gabojmë, po flas si institucione, si vend, sepse nëpërmjet këtyre gabimeve edhe forcohemi dhe kalitemi për të ardhmen. Prandaj, është e vërtetë që të mos ketë takime dhe vizita në një periudhë që konsiderohet proces i gjykimit, sepse kjo është procedurë gjyqësore në fund të fundit. Dhe në një procedurë gjyqësore asnjë faktor, asnjë palë – jo vetëm palë në procedurë – por asnjë faktor i brendshëm nuk duhet të përfshihet e të mund të interpretohet apo të shihet si interferim. Unë e thashë që në të kaluarën e afërt, edhe kur them të kaluarën e afërt jo më larg sesa vitin e kaluar domethënë, e në të shkuarën e largët edhe më shumë ka pasur vizita të ambasadorëve dhe diplomatëve në Gjykatën Kushtetuese ose takime me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese pikërisht në proces të vendimmarrjes apo disa ditë para se të merret vendimi. Dhe mund t’i pyesni edhe ata, edhe vetë Gjykatën Kushtetuese edhe për aktualitetin edhe për rastin konkret”, tha Rrustemi.
