Shefi aktual i Zyrës së BE-së në Kosovë, estonezi Aivo Orav, do ta largohet nga Kosova në fund të muajit mars.
Shefja e diplomacisë së BE-së, bashkëkombësja e tij, Kaja Kallas, siç bëjnë të ditura burimet e Gazetës Express, pritet ta angazhojë atë me detyrën e Shefit të Delegacionit të BE-së në Turqi.
Aivo Orav kishte marrë detyrën e tij si drejtues i Zyrës së BE-së në Kosovë më 2 shtator 2024. Para Orav në Kosovë kishte shërbyer Thomas Szunyog.
Ambasadori Aivo Orav është diplomat estonez me mbi 30 vjet përvojë në nivel kombëtar, në atë të BE-së, në diplomacinë dhe çështjet e BE-së.
“Me kënaqësi të madhe dhe një ndjenjë të thellë të përgjegjësisë po e marr postin e Shefit të Zyrës së BE-së/Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, një partner i rëndësishëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor. Zotohem se do të punoj krah për krah me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë të BE-së në Kosovë për t’i çuar përpara marrëdhëniet tona diplomatike dhe politike, për ta konsoliduar pozitën e BE-së si investitori, partneri tregtar dhe donatori më i madh i Kosovës dhe për ta mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe reformat në lidhje me BE-në”, kishte thënë ambasadori Orav më 2 shtator 2024.
