Kosovë Lajme Politikë

Osmani: S’është debat politik, por fakt kushtetues që Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë për media mëngjesin e së premtes foli edhe për afatin kushtetues që lidhet me zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas saj, bëhet fjalë për një çështje të qartë kushtetuese dhe jo për debat politik, pasi afati i paraparë me Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit ka skaduar.

“Neni 86 i Kushtetutës përcakton se presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të afatit të presidentit aktual. Mandati im përfundon më 4 prill 2026. Kjo do të thotë se 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues që Kuvendi të zgjedhë presidentin e ri dhe ky afat ka përfunduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi pra të bëjmë me një debat politik, por me një fakt të qartë kushtetues. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dështuar të përmbushë një nga obligimet themelore kushtetuese”, tha Osmani.