Kosovë Lajme

OVL-UÇK reagon për seancën solemne në Kuvend: Kategoritë e dala nga lufta u lanë jashtë ceremonisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas seancës solemne të mbajtur në Kuvendi i Republikës së Kosovës për shënimin e Epopeja e UÇK-së, duke e cilësuar të papranueshme mosftesën e përfaqësuesve të kategorive të dala nga lufta.

Në reagimin e publikuar, OVL-UÇK thekson se është thellësisht fyese që në një ceremoni kushtuar historisë dhe sakrificës së luftës çlirimtare të mos jenë të pranishëm ish-luftëtarët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.

Sipas organizatës, pikërisht ata burra dhe gra që morën armët për liri dhe sakrifikuan për shtetin e Kosovës janë lënë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë së tyre.

Postimi i plotë:

Është e papranueshme dhe thellësisht fyese që në një seancë solemne të Kuvendi i Republikës së Kosovës kushtuar Epopesë së UÇK-së, të mos ftohen fare përfaqësuesit e kategorive të dala nga lufta.
Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri.
Është paradoksale që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre.
Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori.