Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) njoftoi se po i vëzhgon me vëmendje të shtuar çmimet e derivateve të naftës nga operatorët ekonomik në Kosovë.
Në njoftim thuhet se, në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve, do të vlerësohet mundësia e marrjes së vendimit përmes së cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe do të caktohen edhe masa të tjera mbrojtëse për produktet e naftës.
Nga MINTI-i theksohet gjithashtu se Kosova është vend importues i naftës dhe lëvizjet ndërkombëtare reflektohen në treg, por këto luhatje duhet të jenë në përputhje me standardet e ligjit përkatës.
“Kjo mbikëqyrje do të vazhdojë në mënyrë intensive përgjatë ditëve në vijim, përmes inspektimeve në terren. Në rast të luhatjeve të menjëhershme dhe të pajustifikuara të çmimeve nëpër pikat e tregtimit të derivateve të naftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë do të vlerësojë në hollësi mundësinë e marrjes së Vendimit përmes të cilit vendoset rregullimi i çmimeve dhe caktohen masat e tjera mbrojtëse për produktet e naftës, ku parashihet edhe mbikëqyrja e shtuar nga Dogana e Kosovës, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Administrata Tatimore e Kosovës”, thuhet në njoftim.
