Botë Lajme

CIA doli me raport specifik se çfarë do të ndodhte nëse vritej Khamenei

Pak orë para se SHBA-ja dhe Izraeli të nisnin sulme ndaj Iranit të shtunën, Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) kishte dal me një vlerësim se çfarë do të ndodhte në rast të vrasjes së liderit suprem të Iranit, Ajetollah Ali Khamenei, raportoi Reuters.

CIA me një raport ka vlerësuar se ai do të zëvendësohej menjëherë nga figura edhe më të rrepta të Gardës Revolucionare Islamike.

Vlerësimet e CIA-s janë bërë në dy javët e fundit dhe përmbajnë analizën se çfarë do të ndodhë pas intervenimit amerikan në rast se rrëzohet regjimi në Republikën Islamike.

Në mesin e shumë skenarëve CIA kishte vënë edhe figurat e larta të Gardës.

IRGC është forca elitare ushtarake që ka për qëllim që të mbrojë regjimin shiit në Iran.

Presidenti Donald Trump në javët e fundit kishte paralajmëruar se SHBA-ja është e interesuar për ndryshim të regjimit në Iran, por nuk ka treguar se kush mendon se do t’i prijë Iranit sipas Washingtonit.

Një zyrtar i lartë i Izraelit ka dhenë lajmin se trupi i liderit suprem Ali Khamenei është gjetur dhe se është konfirmuar i vdekur.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, ka raportuar duke u bazuar në informacionet që ka ofruar ky zyrtar izraelit që ka folur në kushte anonimiteti.

Kjo deklaratë është bërë vetëm pak minuta pasi kryeministri izraelit deklaroi se ka shumë shenja që Khamenei është i vdekur.

Në një adresim para kombit, kryeministri izraelit ka deklaruar se “ka shumë shenja se Ali Khamenei nuk është më” pasi Izraeli shkatërroi rezidencën e tij dhe vrau udhëheqësit e gardës revolucionare.

Netanyahu nuk e ka konfirmuar direkt vrasjen e liderit suprem që deri më tani është mohuar nga Teherani.

Izraeli lëshoi 30 bomba në rezidencën e Khameneit gjatë sulmit të së shtunës.