Kosovë Kronikë Policore Lajme

U dënua me 22 vjet burgim, si e kishte kryer vrasjen Arsim Syla bashkë me djalin e mitur në një market në Podujevë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar sot me 22 vjet burgim Arsim Sylën, i akuzuar për vrasjen e V.B në “Interex” në Podujevë, në vitin 2023.

Në dënimin e shqiptuar, atij i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, ndërsa me aktvendim të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit, deri në plotfuqishmëri të këtij aktgjykimi, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar në këtë aktgjykim.

Në njoftimin për aktgjykimin dënues, Gjykata ka përshkruar në detaje si ka ndodhur rastoi.

“Me datë 11.09.2023, rreth orës 11:30, i pandehuri A.S., me djalin e tij të miturin L.S., shkojnë në kafiterinë e marketit “Interex” në Podujevë dhe rreth orës 12:19, vërejnë tani të ndjerin V.B., se hynë në marketin “Interex”, së bashku me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S., dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar. I pandehuri A.S., me të miturin L.S. dalin nga restauranti, duke zbritur shkallëve, i pandehuri A.S., e orienton të miturin L.S., në drejtim të të ndjerit V.B.,, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri A.S., vazhdon për të dal nga objekti, dhe në momentin kur tani i ndjeri V.B., së bashku me bashkëshorten e tij të dëmtuarën L.S., dhe fëmijën e tij arrin tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S., i afrohet nga mbrapa, nga afërsia fillimisht shtënë dy herë në drejtim të të ndejrit V.B., duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, ku njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B., dhe e qëllon edhe të dëmtuarën bashkëshorten e tij L.S., e cila kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S., nga çanta nxjerrë revolen tjetër, me të cilën qëllon edhe 4 herë në kokën e tani të ndjerit V.B., i cili tani më ishte i shtrirë në tokë, dhe si pasojë e këtyre të shtënave nga arma e zjarrit, tani i ndjeri V.B., vdes në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

I akuzuari detyrohet që në emër të shpenzimeve të procedurës penale – paushallit gjyqësor, të e paguajë shumën 200 euro dhe në emër të taksës për Fondin e Kompensimin e Viktimave të Krimit, shumën prej 50,00 euro, e gjitha këto në afatin prej 15 ditëve, nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.

“E dëmtuara L.S., për realizimin e kërkesës pasurore – juridike, udhëzohet në kontest të rregullt civil. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.