Kosovë Lajme

Kusari nis procedurat për Projektligjin për çmimet tavan: Shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik

Pas miratimit të agjendës legjislative në mbledhjen e Qeverisë, Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për çmimet tavan.

Sipas Kusarit, ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg.

Ajo ka thënë se në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik.

“Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me: rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore dhe çrregullime në furnizim”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka thënë se qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize.

“Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, ka shkruar Kusari.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se prioritet do të ketë Projektligji për çmimet tavan si dhe ai për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.