Lajme Shqipëri

“Më vjen keq që s’bëj dot më shumë”, Edi Rama flet me Thaçin në telefon – ndan video nga biseda

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video ku shfaqet duke zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në video, Rama i uron Thaçit 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Gëzuar Pavarësinë edhe ty, komandant”, dëgjohet t’i thotë Rama gjatë bisedës telefonike.

Kryeministri shqiptar shprehet gjithashtu i shqetësuar për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.

“Vëllai im, të përqafoj fort, të dua shumë. Më vjen keq që s’bëj dot më shumë. Të fala shokëve”, thotë Rama para se ta mbyllë bisedën.

Ai tha se prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht.

“Por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund:Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!”, ka shkruar ai.