Kosovë Kronikë Policore Lajme

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari: Asnjë veprim nuk është ndërmarrë pa dijeninë e Millorad Gjokoviq

Këtë të hënë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është dëgjuar dëshmia e dëshmitari Agim Shala, në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Millorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte në Ozdrim dhe fshatrat tjera të Pejës.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, Shala ka thënë se tani të akuzuarin Gjokoviq nuk e parë të ketë kryer vrasje por se është i sigurt se asnjë veprim nuk është ndërmarrë pa dijeninë e tij, pasi që ka qenë udhëheqës i zyrës së vendit për 5 fshatra, duke shtuar se nëse kryetari i komunës ka dhënë ndonjë urdhër kanë shkuar përmes tani të akuzuarit.

Lidhur me këtë shtoi se se çdoherë ka qenë me uniformë të policisë, gjatë viteve 97/98 por se në formacione qoftë ushtarake apo policore nuk e ka parë.

Ai tha se janë detyruar të dalin nga shtëpitë e tyre në momentin kur kanë filluar të gjuajnë me armë.

“Më 7 maj rreth orës 7-7:30 të mëngjesit kanë filluar gjuajtjet me armë automatike në tri drejtime të fshatit Ozdrim”, ka thënë dëshmitari Shala.

Dëshmitari Agim Shala tha se ka jetuar në Ozdrim deri më 7 maj 1999, kur me dhunë e nën përcjelljen e tytave të automatikëve e duke na kërkuar të paguajnë çmim paraprakisht, për t’i lënë të kalojnë në Rozhajë të Malit të Zi.

Shala gjatë dhënies së dëshmisë së tij ka thënë se paramilitarët i ka parë kur kanë kaluar nga Vitomirica, por edhe ata që kanë qenë të stacionuar në Savinovodë dhe rrugës së Radavcit.

Po ashtu, ai tha se të akuzuarin e ka njohur si “Mici” por që e di se çdoherë i janë referuar tani të akuzuarit Millorad Gjokoviq, edhe pse gjatë seancë dëshmitarit nuk iu kujtua mbiemri i të akuzuarit, por shtoi se askush tjetër nuk e ka pasur këtë pseudonim.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.