Kosovë Kronikë Policore Lajme

Arrestohet djali që sulmoi babanë e tij me sëpatë

Është arrestuar i dyshuari për “vrasjen në tentativë” në komunën e Deçanit. Ai dyshohet se ka sulmuar me sëpatë babanë e tij. Ngjarja ka ndodhur të enjten në fshatin Isniq të kësaj komune.

Arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar  për Reporteri.net, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

“Rasti është cilësuar si ‘vrasje në tentativë’. Prokurorja e Krimeve të Rënda ka autorizuar Policinë për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, ka deklaruar Nikçi

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor pritet që prokurori të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.

Detaje për rastin kishte dhënë dje Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:35 të së enjtes.

I dyshuari ndodhej në arrati.

“Rreth orës 15:35, Stacioni Policor është njoftuar nga QMF se është duke e trajtuar një person të lënduar me mjet të fortë, sëpatë, i cili dyshohet se është lënduar nga një familjar. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Isniq të Deçanit. Personi i lënduar është dërguar në emergjencën e Pejës për shkak të lëndimeve që ka pësuar. Prokurorja e shtetit është njoftuar për rastin dhe ka autorizuar që me rastin të merret sektori i hetimeve rajonale për shkak të peshës së veprës. I dyshuari gjendet në arrati”, ka thënë Gashi.