Botë Lajme

Ukraina dhe Rusia fillojnë raundin e dytë të bisedimeve për paqe të udhëhequra nga ShBA’ja në Abu Dhabi

Negociatorët ukrainas dhe rusë kanë filluar raundin e dytë të bisedimeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja në Abu Dhabi, ndërsa Washingtoni kërkon një rrugë për të përfunduar luftën pothuajse katërvjeçare në Ukrainë, raporton “The Guardian“.

Bisedimet trilaterale dyditore që filluan të mërkurën vijnë pas akuzave të Volodymyr Zelenskyyt se Rusia ka shfrytëzuar një armëpushim të mbështetur nga ShBA-ja javën e kaluar për të grumbulluar armë, para se të nisë një numër rekord sulmesh me raketa balistike ndaj Ukrainës të martën.

Pavarësisht përpjekjeve të rinovuara diplomatike nga administrata e Trumpit, perspektivat për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje mbeten të paqarta, pasi Moska vazhdon të ngul këmbë mbi kërkesat e saj maksimale territoriale. Kremlini ka deklaruar disa herë se çdo zgjidhje duhet të përfshijë dorëzimin nga Ukraina i të gjithë rajonit lindor të Donbasit, duke përfshirë zonat që ende janë nën kontroll ukrainas. Kievi ka refuzuar këto kushte, duke thënë se konflikti duhet të ngelet i ngrirë përgjatë vijës aktuale të frontit dhe duke përjashtuar çdo tërheqje njëanshme të forcave të tij.

Moska ka thënë se nuk do të tolerojë trupat evropiane në tokën ukrainase, një kusht që Kievi e sheh si thelbësor për garanci të besueshme sigurie. Duke folur para parlamentit të Ukrainës të martën, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleatët evropianë kishin premtuar vendosjen e forcave në Ukrainë sapo të arrihej një marrëveshje – një propozim që Rusia deri tani e ka refuzuar kategorikisht.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se forcat ruse do të vazhdojnë të luftojnë deri sa Kievi të marrë “vendime” që mund të çojnë në përfundimin e luftës, duke theksuar qëndrimin e ashpër të Moskës edhe me rifillimin e negociatave.

Kievi mori një goditje diplomatike para bisedimeve kur Trump refuzoi të dënonte Rusinë për sulmet me raketa dhe dronë ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës, pavarësisht një armëpushimi të dukshëm.