Ushtria amerikane e ka rrëzuar një dron iranian që “në mënyrë agresive” po i afrohej aeroplanmbajtësit USS Abraham Lincoln në Detin Arabik, tha ushtria amerikane përmes një njoftimi më 3 shkurt.
Droni iranian Shahed-139 po fluturonte drejt aeroplanmbajtësit “me qëllim të paqartë” dhe u rrëzua nga një avion luftarak amerikan F-35, u tha në njoftim.
“Një avion luftarak F-35C nga aeroplanmbajtësi Abraham Lincoln e rrëzoi dronin iranian në vetëmbrojtje, me qëllim mbrojtjen e aeroplanmbajtësit dhe personelit në bord”, tha kapiteni i Marinës amerikane, Tim Hawkins, zëdhënës në Komandën Qendrore të ushtrisë amerikane.
Ai shtoi se asnjë pjesëtar i ushtrisë amerikane nuk është lënduar gjatë incidentit dhe asnjë pajisje e ushtrisë nuk ka pësuar dëme.
Incidenti ndodhi në kohën kur diplomatët po përpiqen të organizojnë bisedime bërthamore mes Iranit dhe SHBA-së dhe mes paralajmërimeve të presidentit amerikan, Donald Trump, se luftanijet amerikane janë nisur drejt Iranit dhe se “gjëra të këqija” mund të ndodhin nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Ushtria amerikane ka dislokuar në afërsi të brigjeve të Iranit një grup sulmues detar, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln.
Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare që shpërthyen në fund të dhjetorit në mbarë Iranin.
