Botë Lajme

Arrestohet ish burri i Jill Biden, akuzohet për vrasjen e gruas

William Stevenson, ish-burri i ish-Zonjës së Parë të ShBA’së, Jill Biden, është arrestuar nën akuzat për vrasjen e gruas së tij, Linda Stevenson, raporton Fox News, përcjell KFVAgency.com

Stevenson, 77 vjeç, u vu në pranga të hënën dhe është akuzuar për vrasje të shkallës së parë, bëri të ditur Policia e Qarkut New Castle në Delaware.

Stevenson u arrestua pas një “hetimi të gjerë që zgjati disa javë”, thanë autoritetet policore.

Një juri e madhe ngriti aktakuzë ndaj Stevensonit të hënën. Ai u dërgua në Institucionin Korrektues Howard Young pasi nuk arriti të paguante garancinë në para të gatshme prej 500,000 dollarësh.

Sipas raportimeve, ish-Zonja e Parë u martua me Stevensonin në vitin 1970, kur ajo ishte 18 vjeçe dhe studionte në Universitetin e Delaware, ndërsa ai ishte 23 vjeç.

Çifti ishte i martuar për pesë vjet përpara se të divorcoheshin. Më pas, ajo u martua me ish-presidentin Joe Biden.