Policia e Kosovës ka intensifikuar aktivitetet e saj në rajonin e Prishtinës gjatë javës së kaluar, duke realizuar qindra urdhëresa të gjykatës dhe aksione të ndara në lokacione të ndryshme.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët policorë kanë zbatuar gjithsej 238 urdhëresa të gjykatës, prej të cilave 52 kanë qenë për vepra penale, ndërsa urdhëresat e tjera kanë pasur të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, verifikime dhe procedura të tjera ligjore.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata të dënuar me gjobë janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në fusha të tjera të sigurisë. Gjatë të njëjtës periudhë kohore, policia ka sekuestruar 17 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi municionesh.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka vazhduar edhe me aktivitete të shtuara në sigurinë e trafikut rrugor. Si rezultat, janë shqiptuar 4,394 masa administrative me gjobë për shkelje të ndryshme të kodit rrugor, prej të cilave 718 shkelje janë evidentuar nga veturat inteligjente dhe radarët mobilë.
Policia e Kosovës thekson se aktivitetet e tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të rritjes së sigurisë së përgjithshme dhe zbatimit të ligjit.
