Kosovë Lajme Politikë

Kriza e strujës: ZRrE thotë se s’do të ketë shtrenjtim të rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) mbajti mbledhjen e parë të Bordit për vitin 2026, ku shqyrtoi kërkesën për përcaktimin e të hyrave dhe tarifave të operatorit të tregut të energjisë NEMO për periudhën 2026–2028, transmeton KFVAgency.com

Nga ky shqyrtim, ZRrE bëri të ditur se lista e tarifave për Kosovën propozohet të mbetet e pandryshuar dhe se nuk bëhet fjalë për rritje të tarifave të energjisë elektrike.

Sipas ZRrE-së, procesi i vlerësimit është zhvilluar pas pranimit të aplikimit nga ALPEX, duke përfshirë analizë teknike, financiare dhe ligjore, si dhe konsultim publik. Raporti konsultativ është publikuar në dhjetor të vitit 2025, pa pasur komente nga palët e interesit apo nga vetë ALPEX-i.

Muharrem Gashi, Udhëheqës i Departamentit të Tarifave në ZRrE, sqaroi se të hyrat e lejuara të propozuara përfshijnë vetëm komponentët standardë rregullatorë dhe se rritja e tyre nuk lidhet me shtrenjtimin e tarifave, por me rritjen e kostos për njësi dhe volumit të energjisë.

“ZRrE ka pranuar aplikimin e ALPEX-it për përcaktimin e të hyrave dhe të tarifave të NEMO për periudhën 2026-2028. Pas analizimit dhe shqyrtimit të aplikacionit në aspektin teknik, financiar dhe ligjor, ZRrE ka zhvilluar edhe procesin e konsultimit publik, ku ka dalë me raportin konsultativ, i cili ka qenë i publikuar në uebfaqen e ZRrE-së. Ky raport ka dalë në muajin dhjetor të vitit 2025; gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur komente nga palët e interesit dhe as nga ALPEX-i. Shqyrtimi është realizuar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin për Energji, Ligjin për Energji Elektrike dhe metodologjinë për përcaktimin e tarifave të operatorit të lejuar të tregut të energjisë elektrike NEMO. Kjo bazë ligjore i jep ZRrE-së kompetencë për miratimin e të hyrave të lejuara dhe të strukturës tarifore. Të hyrat e lejuara të propozuara furnizohen, ofertomi i tribunës së Kosovës përfshin komponentët rregullatorë standardë, siç janë kostot operative, kostot që janë të lidhura me investimet kapitale, amortizimet, kapitali i punës, tarifat e licencës. Vlerat e propozuara për Kosovën për vitin 2026 si të hyra janë 669 mijë e 28 euro për vitin 2026. Për vitin 2027 janë 712 mijë e 410 euro dhe për vitin 2028 janë 835 mijë e 613 euro. Struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative. Kjo rritje nuk është si rezultat i rritjes së tarifave. Kjo buron nga rritja e kostos për njësi, është rritur volumi i energjisë”, tha ai.

Gashi theksoi gjithashtu se tarifat e NEMO-s nuk kanë lidhje me çmimet e energjisë elektrike në bursa dhe se ato aplikohen vetëm për shërbimet që u ofrohen anëtarëve të bursës së energjisë.

“Lista e tarifave të NEMO-s për Kosovën propozohet që të jetë e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake, dhe vazhdon me u apliku për tregun… Tarifat e ALPEX-it duhet sqaruar se aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës, përfshirë tarifat vjetore, tarifat administrative, tarifat variabile të tregtimit, klerimit. Pra, këto tarifa nuk përfaqësojnë çmimet e energjisë elektrike në bursa, pasi që këto çmime tregu formohen në mënyrë automatike nga platforma e tregtimit bazuar në ofertat e kërkesës së pjesëmarrësve në treg për çdo ditë dhe për çdo orë”, tha ai.