Prokuroria në Prishtinë njoftoi se ka autorizuar Policinë për të mbledhur prova lidhur me dyshimet për shkelje të të drejtave të votimit në Podujevë, transmeton KFVAgency.com
Sipas njoftimit, dyshimet lindin nga mospërputhje në numrin e votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Podujevës, duke ngritur shqetësime për parregullsi gjatë procesit zgjedhor.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre qe bien ndesh me ligjin”, thuhet në komunikatën zyrtare.
Lidhur me vjedhjen e votave, po ashtu edhe prokuroria në Prizren pati ndërmarrë masa lidhur me dyshimet për manipulim të procesit zgjedhor, duke ndaluar disa persona dhe duke caktuar masa paraburgimi për disa prej tyre.
Ndërkohë, edhe në Malishevë është zhvilluar një aksion i ngjashëm, ku disa kryesues dhe komisionerë janë thirrur për intervistim, dhe disa janë ndaluar për një periudhë të përkohshme, ndërsa hetimet për manipulimet në zgjedhje vazhdojnë.
