Kosovë Lajme

Dosja Jeffrey Epstein, reagon Jahjaga: S’e kam njohur dhe s’kam pasur asnjë takim apo kontakt me Epstein

“Mirë se vini në Paris, Princesha nga Tajlanda do të jetë në New York, Kombet e Bashkuara, me presidenten e Kosovës. Ajo do të donte të ju takonte nëse keni kohë këtë javë”, ishte email-i i dërguar nga një person me emrin “Daniel” që figuron në dosjen Epstein.

Emaili që figuron të jetë i vitit 2012, atë kohë Konsull i Republikës së Kosovës në Tajlandë ishte, Mom Luang Rajadasari Jayankura, dhe Presidente e Republikës së Kosovës ishte Atifete Jahjaga.

Lidhur me këtë, ka reaguar kjo e fundit, duke thënë se s’ka pasur kontakte e as takime me Epstein.

Siç shkruan ajo, përmendja e emrit të saj ka të bëjë me “një korrespondencë të palëve të treta”.

Jahjaga thekson se në email përmendet Presidenti i Republikës së Kosovës, por jo se cili.

Jahjaga ka qenë Presidente e Republikës së Kosovës nga 7 prilli 2011 deri më 7 prill 2016.

Sqarim publik i Atifete Jajagës:

Raportimet mediatike për “lidhjen time” me dosjen “Epstein” janë tërësisht të pabaza dhe të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.

Përmendja e emrit tim nga mediat me rastin e dokumenteve të publikuara së fundmi lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk përbën dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im askund nuk përmendet në asnjë lloj dokumenti të publikuar.

Në këtë email te palëve të treta permendet Presidenti i Kosovës, por nuk është e qartë cili, dhe nuk permendet kerkesa per takim në emër të tij apo të saj.
Çdo raportim ndryshe është insinuate dhe mashtrim i opinionit, siç mund te verehet lehtë nga dokumentet.

Kërkoj që ky sqarim të jepet në mediat të cilat e kanë lakuar emrin tim, sidomos meqenëse as nuk e kam njohur, as takuar dhe as nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozitë që kam mbajtur deri më tani.