Kosovë Lajme

Ambasada amerikane: Vendimi i KQZ’së për Listën Serbe, minon partneritetin ShBA-Kosovë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë është deklaruar rreth vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e miratuar listën e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.

Sipas ambasadës, ky vendim është “në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre” dhe minon partneritetin mes ShBA’së dhe Kosovës.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, ka deklaruar për REL, një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shpalli të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

KQZ-ja ka ndarë në dy votime shpalljen e rezultateve. Në votimin e parë ka përfshirë të gjitha partitë e në të dytin kanë votuar vetëm për shpalljen e rezultateve për Listën Serbe me 3 vota për, dy kundër.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tregoi rezultatet përfundimtare që ka fituar secila parti dhe ulëset e fituara në Kuvend.

“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025, janë si në vijim: Lëvizja Vetëvendosje 51.10%, Partia Demokratike e Kosovës 20.19%, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50%, Srpska Lista 4.49%, Nisma Socialdemokrate 1.59%, Kosovah Demokratik Türk Partisi 0.57%, Za Slobodu Pravdu i Opstanak 0.51%, Koalicija Vakat 0.42%, Nova Demokratska Stranka 0.41%, Inicijativa E Re Demokratike e Kosovës 0.21%, Socijal Demokratska Unija 0.27%, Partia Liberale Egjiptiane 0.24%, P-S-A 0.22%, P-A-I P-D-A-K L-P-P 0.21%, Jedinstvena Goranska Partija 0.16%, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës 0.12%, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 0.10%. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës 0.10%, Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar 0.10%, Fjala 0.09%, Inisitiativa Qytetare për Kosovë 0.08%, Kosovski Savez 0.06%, Nexhmedin Sejdillar 0.03%, Kosovaki Nevi Romani Partia 0.02%”, deklaroi Radoniqi.

Lista Serbe sot është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa për këtë vendim të KQZ-së.

“Presim që PZAP-ja ta shfuqizojë vendimin e turpshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të marrë një vendim në përputhje me ligjin”, deklaroi Igor Simiq.

Ai e cilësoi vendimin si “të paligjshëm, anti-serb dhe diskriminues”, duke shtuar se KQZ-ja ka mohuar “42.759 vota të serbëve”.