Kosovë Lajme Politikë

Manipulimi i votave: Pse u zbulua tani dhe a ka ndodhur edhe më herët?

“Procesi më i komprometuar zgjedhor” – kështu e përshkroi Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, krejt atë që ndodhi pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë.

Dhe njëmend, vështirë të krahasohet me diçka të ngjashme në të kaluarën.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra njerëz, kanë ndaluar dhjetëra dhe po i vazhdojnë hetimet nën dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.

Si rezultat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për rinumërim të plotë të votave për kandidatë në të gjitha komunat e vendit. Votat për partitë nuk u cenuan.

Pse publiku mësoi tani për këtë “fenomen”?

Në proceset e fundit zgjedhore, qytetarët kanë mundur të zgjedhin deri në dhjetë kandidatë për deputetë, nga pesë sa kanë qenë më parë.

Juristja e mediave, Flutura Kusari e ka përmendur ditë më parë edhe mundësinë që procesi i manipulimit të jetë lehtësuar për shkak të numrit më të vogël të vëzhguesve në zgjedhje nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, në mungesë fondesh.

Eugen Cakolli nga ky rrjet ka thënë për Radiotelevizionin e Kosovës se fakti që numërimi i votave ka ndodhur më 31 dhjetor, 1, 2 janar, atëherë mund të mos ketë pasur fare vëzhgim të punës së komisionerëve.

Si ndodhi manipulimi?

Në qendrat komunale të numërimit, secili fletëvotim iu nënshtrohet disa kontrolleve.

Fillimisht fletëvotimi lexohet me zë të lartë nga një numërues, më pas shfaqet në ekran përmes kamerës dhe regjistrohet në sistem elektronik nga një zyrtar tjetër, ndërsa një person i tretë e verifikon fletën.

E, manipulimi besohet se bëhet në fazën e leximit të votave për kandidatë.

Numëruesi mund ta ndryshojë verbalisht numrin e kandidatit të votuar, duke e zëvendësuar me numrin e një kandidati tjetër. Kështu, sistemi regjistron votë për kandidatin e gabuar, edhe pse fletëvotimi real tregon diçka tjetër.

Koordinatorja për zgjedhje, Laura Pula, ka bërë të ditur se në hetime do të përfshihen edhe kandidatët që u janë shtuar vota.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Çfarë flet kjo situatë për partitë?

Zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen.

Por, njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi beson se kaq nuk mjafton.

“Ai dënim nuk do të duhej të ishte vetëm retorik, duhet të matet në të ardhmen nëse do të emërohen këta komisionerë manipulues sërish në ato role, a do të shpërblehen me role tjera ekzekutive”.

KQZ-ja beson që deri në fund të janarit do të përfundojë procesi i rinumërimit, duke i hapur rrugën certifikimit të rezultateve dhe më pas formimit të institucioneve të reja.

Miratimi i buxhetit të shtetit, marrëveshjet ndërkombëtare dhe shmangia e zgjedhjeve të reja, për shkak të pozitës së presidentit, konsiderohen hapa jetikë që vendi të mos hyjë në një terren të pashkelur më parë.