Kosovë Lajme Politikë

Rinumërimi drejt përfundimit: VV’ja prin me manipulimin e votave në Pejë, Rahovec dhe Podujevë

Procesi i rinumërimit të të gjitha votave në Kosovë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, i ndërmarrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka nisur para disa ditësh dhe tashmë po shkon drejt përfundimit, pas identifikimit të parregullsive serioze dhe vjedhjeve brendapartiake në numërimin e votave për kandidatët për deputetë, përcjell KFVAgency.com

Të dhënat e sotme nga rinumërimi tregojnë se Peja, Rahoveci dhe Podujeva janë komunat ku janë evidentuar mospërputhje të theksuara, ndërsa kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje prijnë për nga numri i votave të tjetërsuara.

Në Rahovec, nga 51 vendvotime të rinumëruara (nga 76 në total), kandidati i VV-së Ali Dula rezulton me 264 vota të shtuara. Shifrat e konstatuara deri në këtë fazë tregojnë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në rezultatin individual të kandidatëve.

Edhe në Pejë, rinumërimi ka zbuluar parregullsi domethënëse. Nga 32 vendvotime të rinumëruara (nga 139 gjithsej), kandidati i VV-së Taulant Kelmendi ka 183 vota të tjetërsuara, me mundësi që kjo shifër të rritet deri në përmbyllje të plotë të procesit.

Ndërkohë, Podujeva pritet të fillojë pasdite rinumërimin dhe parashihet të jetë një tjetër rast problematik. Nga rreth 10 për qind e vendvotimeve të rinumëruara, kandidati i VV-së Ejup Maqedonci ka mbi 280 vota të tjetërsuara, duke e renditur këtë komunë ndër më të goditurat nga manipulimet e brendshme.

Me rinumërimin që po i afrohet fundit, pritet që ditët në vijim të sjellin një pasqyrë të plotë të shkeljeve, të cilat rrezikojnë seriozisht besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Rezultatet përfundimtare do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në certifikimin e mandateve, si dhe në hapjen e mundshme të përgjegjësive penale dhe politike për rastet e konstatuara.

Sipas burimeve brenda Vetëvendosjes, rinumerimi pritet të përfundojë deri në këtë fundjavë, deri sa shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet më së largu të hënën. Certifikimi i rezultateve, pas periudhës së ankesave, orientimisht pritet të bëhet deri më 12 shkurt.