Kosovë Lajme Politikë

Veliu kërkon reformim të degës së LDK-së në Podujevë: Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka bërë një thirrje për reformim të Degës së LDK-së në Podujevë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si krizë të thellë politike dhe organizative.

Veliu në një reagim në Facebook ka shkruar se se pesë humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore janë pasojë direkte e një drejtimi të gabuar dhe mungesës së përgjegjësisë politike.

Ai ka thënë se kjo degë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. “Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël. LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj. Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë”, ka shkruar Veliu.

Ai ka thënë se pas largimit të tij dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, siç ka theksuar, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, “degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet”.

“Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në degën e LDK-së në Podujevë”, ka shkruar Veliu.

Reagimi i plotë:

Thirrje për reformim të menjëhershëm të Degës

Të nderuar qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Gjërat të thuhen hapur.

Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi.

Për më shumë se 30 vite Dega jonë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, ndërsa për mbi 20 vite qytetarët ma kanë besuar pesë herë drejtimin e Komunës. Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj.

Pas largimit tim dhe marrjes së kompetencave të kryesisë, me një vendim kundërstatutor dhe të padrejtë, Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet.
Rezultati është i qartë:humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, Dega e LDK-së në Podujevë nuk është e përfaqësuar me deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Prandaj, sot bëj thirrje të hapur dhe publike për ndryshime të menjëhershme në Degën e LDK-së në Podujevë.

Në këtë situatë është e domosdoshme:
• Marrje përgjegjësie politike për dështimet e njëpasnjëshme.
• Hapje e Degës ndaj anëtarësisë, jo drejtim i mbyllur dhe i kapur nga interesa personale.
• Zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, pa imponime dhe pa lista të parapërgatitura.
• Rikthim i unitetit, meritokracisë dhe respektit për kontributin e secilit.
Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së.

Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën dhe e largojnë partinë nga qytetarët.
Duke u angazhuar për proces transparent zgjedhor, nuk kërkoj privilegje, por shpreh gatishmërinë të kontribuoj me përvojën time politike në funksion të reformimit, unitetit dhe rikthimit të besimit të humbur.

Partia nuk i përket një individi, apo një grupi të vogël.

LDK është e anëtarëve dhe votuesve të saj.

Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë.