Botë Lajme

Rusia e zemëruar me fjalimin e Zelenskyt në Davos: Ai është gati të kafshojë dorën që e ushqen

Kremlini ka ashpërsuar sërish tonet ndaj Ukrainës dhe presidentit Volodymyr Zelensky, duke e akuzuar Kievin për mungesë mirënjohjeje ndaj aleatëve perëndimorë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Ukraina është e gatshme të “kafshojë dorën që e ushqen”, duke iu referuar kritikave të bëra nga Zelensky ndaj Bashkimit Evropian gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Në një intervistë për televizionin shtetëror Rossiya 1, Peskov tha se “regjimi i Kievit është gati të kafshojë këdo”, duke shtuar se kjo sjellje tregon, sipas tij, qëndrimin e vërtetë të udhëheqjes ukrainase ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Deklaratat e Kremlinit vijnë në një moment tensionesh të shtuara diplomatike, pas kritikave të Zelensky se Evropa nuk po vepron me vendosmëri të mjaftueshme përballë agresionit rus dhe për mbështetjen e Ukrainës.

Moska dhe Kievi mbeten në përplasje të hapur politike dhe retorike, ndërsa lufta dhe pasojat e saj vazhdojnë të ndikojnë marrëdhëniet mes Rusisë, Ukrainës dhe Perëndimit.