Kosovë Kronikë Policore Lajme Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj djalit të Nait Hasanit dhe 22 kryesuesve të komisioneve në QNR

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj djalit të Nait Hasanit, Art Hasani, si dhe ndaj 22 kryesuesve tjerë të komisioneve në Qendrën e Numërimit në Prizren.

Përpos nga Partia Demokratike e Kosovës, Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit edhe ndaj komisionerëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kallxo ka publikuar emrat e komisionerëve ndaj të cilëve është kërkuar caktimin i paraburgimit.

Pesë kryesues të komisioneve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren: Ardijan Lipoveci, Qëndrim Krasniqi, Bekim Basha, Admir Krasniqi dhe Bekim Berisha; pesë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës: Alketë Vorfi, Lot Kyçyku, Vehbi Berisha, Olta Sheh dhe Agon Daka; tetë të Partisë Demokratike të Kosovës: Granit Paçarizi, Durim Shala, Fatih Llallo, Sabrije Bytyçi, Art Hasani, Aulon Krasniqi, Xhevdet Shemsedini dhe Ideal Paçarizi; katër të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Muhamet Jakupi, Jetmir Hajdari, Bashkim Xhabali dhe Ensar Gështenja; si dhe një i KDTP-së, Ilknur Haci, janë personat për të cilët Prokuroria në Prizren ka kërkuar masën e paraburgimit në lidhje me manipulimin e votave në Prizren.

Kryesuesit e komisioneve janë personat që kanë bërë edhe futjen e të dhënave në sistem, ndërsa komisionerët, një pjesë e madhe e tyre, dyshohet se kanë bashkëpunuar.

Të premten, Prokuroria Themelore në Prizren urdhëroi ndalimin e 109 të dyshuarve për manipulim me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit.