Kandidatja për anëtare të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Mejreme Memaj me rastin e paraqitjes së vizionit të saj para gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe atyre të Dhomës së Posaçme, tha se Këshilli aktual ka iniciuar procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve, bazuar në reagimet e shoqërisë civile dhe ato politike.
“Ka pasur procedura disiplinore për shkak të reagimit të shoqërisë civile, reagimit politik; procedura disiplinore ku gjyqtarët janë nënshtruar procedurës disiplinore për shkak të bindjeve, dhe vendimin e kanë marrë tre gjyqtarë, kurse vetëm një gjyqtar është suspenduar”, tha Memaj.
Fjalimi plotë i Memajt:
Po dua të besoj fuqishëm se heqja dorë nga kjo e drejtë është shprehje e vullnetit tuaj të brendshëm; në të kundërtën, flet shumë për faktin se kah po e orientojmë këtë proces dhe përfaqësimin tonë në Këshillin Gjyqësor.
Kandidatura ime është reagim i drejtpërdrejtë ndaj kësaj praktike dhe besoj se Këshilli Gjyqësor nuk mund të ndërtohet mbi kompromis institucional. Ajo buron nga bindja për integritet, pavarësi dhe përgjegjësi profesionale. Duke qenë e bindur se Këshilli Gjyqësor ka rol kyç në garantimin e pavarësisë së gjyqtarëve, guximit dhe profesionalizmit, kam marrë vendim që këtë garë ta bëj më demokratike, sepse heshtja përballë imponimit nuk është neutralitet, por nënshtrim.
Konsideroj se gara ku ka më shumë zëra u jep juve, gjyqtarë të nderuar, më shumë mundësi që të bëni zgjedhje të drejta, sepse nëse sot i pranojmë imponimet, vihen në pikëpyetje atributet e gjyqtarit dhe sistemi i drejtësisë në përgjithësi, veçanërisht çështjet për të cilat kemi dhënë betimin për të ndarë drejtësi.
Kandidatura ime synon të kontribuojë në një Këshill realisht të pavarur, që reziston çdo presioni politik, institucional apo informal; që vepron bazuar në Kushtetutë, ligj dhe standarde evropiane, e jo mbi interesa personale apo grupe të caktuara; që garanton se asnjë gjyqtar nuk do të ndëshkohet apo favorizohet për shkak të vendimeve gjyqësore.
Kandidatura ime synon të kontribuojë në meritokraci në avancime dhe emërime, me kritere të qarta, të matshme dhe transparente për avancim; në eliminimin e praktikave të favorizimit, lobimit apo ndikimit hierarkik; në vlerësime profesionale të bazuara në integritet dhe etikë e jo në bindje apo kompromis; në integritet dhe llogaridhënie; në disiplinë të drejtë dhe të balancuar, e jo selektive. Kjo sepse kemi pasur praktika ku nuk ka pasur procedurë disiplinore, por ka pasur procedura disiplinore për shkak të reagimit të shoqërisë civile apo atij politik, si dhe procedura disiplinore ku gjyqtarët janë nënshtruar për shkak të bindjeve të tyre, ndërkohë që vendimi është marrë nga tre gjyqtarë, kurse vetëm një gjyqtar është suspenduar.
Jam për një Këshill Gjyqësor ku fuqizohet roli i gjyqtarit jo vetëm në aspektin e trajnimeve dhe mbështetjes institucionale, por edhe në ndërtimin e një kulture ku pavarësia, guximi profesional dhe etika vlerësohen dhe nuk penalizohen.
Bazuar në përvojën time praktike, konsideroj se i njoh sfidat me të cilat përballemi në përditshmëri dhe besoj fuqishëm se përfaqësimi im në Këshill duhet të reflektojë realitetin tonë profesional me korrektësi. / “Betimi për Drejtësi”
