Një aksident me fatalitet ka ndodhur mesditën e sotme në Gjakovë.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Vlera Krasniqi, Zyrtare për Informim në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Gjakovës, tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:25 në dalje të qytetit të Gjakovës, në rrugën Gjakovë–Prizren, rruga “Dah Polloshka”.
“Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes po ashtu edhe ekipi i emergjencës mjekësore të cilët kanë konstatuar vdekjen e një personi, drejtues i automjetit, mashkull i moshës madhore rreth 81 vjeç”, tha Krasniqi.
Zyrtarja për informim tha se njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është duke vazhduar me hetime deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Në koordinim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast “Hetim i vdekjes” dhe trupi i pa jetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.
