Botë Lajme

SHBA-ja del sot zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të largohen zyrtarisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ditën e sotme, përballë paralajmërimeve se vendimi do të godasë si shëndetin amerikan ashtu edhe atë global, si dhe në shkelje të një ligji amerikan që kërkon që Washingtoni t’i paguajë agjencisë së shëndetësisë të OKB-së 260 milionë dollarë në tarifa që i detyrohen.

Presidenti Donald Trump njoftoi se SHBA do të largohej nga organizata në ditën e parë të presidencës së tij në vitin 2025, nëpërmjet një urdhri ekzekutiv.

Sipas ligjit amerikan, ajo duhet të japë njoftim njëvjeçar dhe të paguajë të gjitha tarifat e papaguara para largimit.

Të enjten, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se dështimi i OBSH-së për të përmbajtur, menaxhuar dhe ndarë informacionin i kishte kushtuar SHBA-së triliona dollarë dhe presidenti kishte ushtruar autoritetin e tij për të ndaluar transferimin e ardhshëm të çdo fondi, mbështetjeje ose burimi të qeverisë amerikane tek OBSH-ja. “Populli amerikan i ka paguar më shumë seç duhet kësaj organizate dhe kjo goditje ekonomike është përtej një pagese fillestare për çdo detyrim financiar ndaj organizatës”, tha zëdhënësi me email.

Gjatë vitit të kaluar, shumë ekspertë globalë të shëndetit kanë kërkuar një rimendim, përfshirë së fundmi Drejtorin e Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

OBSH-ja tha gjithashtu se SHBA-të ende nuk i kanë paguar tarifat që u detyrohen për vitet 2024 dhe 2025. Shtetet anëtare janë gati të diskutojnë largimin e SHBA-së dhe se si do të trajtohet në bordin ekzekutiv të OBSH-së në shkurt, tha një zëdhënës i OBSH-së për Reuters me email. “Kjo është një shkelje e qartë e ligjit amerikan”, tha Lawrence Gostin, drejtor themelues i Institutit O’Neill për Ligjin Global të Shëndetit në Universitetin Georgetown në Washington, një vëzhgues i afërt i OBSH-së.

Washingtoni tradicionalisht ka qenë deri tani mbështetësi më i madh financiar i agjencisë së shëndetit të OKB-së, duke kontribuar rreth 18% të financimit të saj të përgjithshëm. OBSH-ja do të shkurtojë gjithashtu rreth një të katërtën e stafit të saj deri në mesin e këtij viti.

Agjencia tha se ka punuar me SHBA-në dhe ka ndarë informacione gjatë vitit të kaluar. Nuk është e qartë se si do të funksionojë bashkëpunimi në të ardhmen.
Ekspertët globalë të shëndetit thanë se kjo përbënte rreziqe për SHBA-në, OBSH-në dhe botën.