Qeveria e Grenlandës ka publikuar sot në 21 janar broshurën “Përgatitu për krizën, mbijetoni pesë ditë”, e cila ofron këshilla të thjeshta dhe praktike sesi familjet mund të përgatiten për të përballuar vetë situata emergjente deri në pesë ditë.
Sipas njoftimit të qeverisë në Nuuk, hartimi i broshurës nisi vitin e kaluar, pas një serie ndërprerjesh të energjisë elektrike, disa të shkurtra e disa të gjata. Qëllimi është të forcohet siguria e popullsisë dhe të bëhet më solide përgatitja e shoqërisë në tërësi.
Broshura plotëson masat ekzistuese të përgatitjes dhe duhet të shihet si ndihmë për individët dhe si mbështetje për komunitetin. Ajo është realizuar në bashkëpunim midis ministrive, komunave, policisë së Grenlandës, Komandës Arktike dhe me kontributin e kompanive autonome. Këshillat janë diskutuar gjithashtu nga Komisioni i Përgatitjes së Grenlandës.
Ministri për peshkim, gjueti, bujqësi, vetë-mjaftueshmëri dhe mjedis Peter Borg, tha se broshura ka për qëllim, që banorët të jenë të përgatitur.
“Publikimi i broshurës me këshilla praktike dhe të thjeshta për familjet nuk do të thotë që presim një krizë. Ne e kemi përgatitur këtë për të marrë përgjegjësinë tonë dhe për të vepruar në kohë. Përgatitja sjell qetësi: kur mund të përballosh vetë situata emergjente dhe ke forcën për të ndihmuar të tjerët për disa ditë, bëhesh më i fortë.
Nëse ndjekim këto këshilla, do të bëhemi më të fortë si individë dhe si shoqëri. Popullsia mund të jetë e sigurt se mbrojtja jonë civile është gati dhe detyrat e saj do të kryhen nga profesionistë me njohuri teknike dhe përvojë, edhe në situata të jashtëzakonshme. Ne kemi një menaxhim efikas të krizave, përgjegjësi të qarta dhe bashkëpunim të fortë ndër-sektorial dhe ndër-autoritet”, tha ministri.
Grenlanda është kthyer në qendër të vëmendjes të debatit global. Presidenti i SHBA-ve Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashhkuara dëshirojnë ta blejnë ishullin arktik, ndërsa Europa ka reaguar ndaj Uashingtonit, duke ngrirë marrëveshjen tregtare.
