Me rinumërimin e pjesshëm të votave për kandidatë brenda subjekteve politike janë shtuar mospërputhjet e rezultateve e me këto edhe thirrjet për rinumërim të plotë në nivel vendi, shkruan Kosova Free Voice Agency.
Teksa pritet të vendoset ose jo për rinumërim të plotë, burimet kanë thënë se mbledhja e KQZ-së është caktuar të mbahet të hënën në orën 13:30.
“Aty pritet të prezantohet raporti i të gjeturave nga rinumërimi,”ka thënë ky burim.
Rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka zbardhur manipulime me vota që shkojnë deri në mbi 4 mijë vota për një kandidat të vetëm.
Kujtojmë se devijimet më të mëdha në vota deri më tash kanë rezultuar në Prizren, ku më e prekura është Partia Demokratike e Kosovës.
Ndryshe Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se Prokuroria ka nisur veprime konkrete pas evidentimit të parregullsive serioze gjatë rinumërimit të votave në këtë rajon.
