Mbyllet për publikun seanca fillestare për skandalin me rezervat shtetërore

Me kërkesë të avokatit Florent Latifaj, është mbyllur për publikun seanca fillestare në rastin e rezervave shtetërore për Rozeta Hajdarin dhe tre të tjerët, shkruan KFVA.

Gjykata ka vendosur që seanca në rastin e ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari të zhvillohet pa praninë e mediave.

Në seancën e sotme gjyqësore, në bankën e të akuzuarve janë paraqitur edhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Kjo seancë kishte për qëllim shqyrtimin e aktakuzës dhe deklarimin e të pandehurve lidhur me fajësinë ose pafajësinë e tyre, si dhe trajtimin e çështjeve procedurale që mund të parashtrohen nga palët.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë më 11 nëntor ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.

re të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.

“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, ka njoftuar Prokuroria.

Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.

“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”.

Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.

“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.

Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.

Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt.

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse e shihni këtë person, lajmërojeni Policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe kapjen e një personi të dyshuar për vjedhje të rëndë. Kërkesa e Policisë së Kosovës: Kërkesë për bashkëpunim – identifikim e personit të dyshuar Njësiti i Hetimeve të stacionit…

    “Do të jepni llogari para Zotit”- Imami i xhamisë në Gaçkë të Ferizajt habitet pasi i erdhi rryma rreth 700 euro

    Ankesat për çmime të fryra të faturave të energjisë janë shpeshtuar, sidomos në sezonin e dimrit. Një ankesë të tillë e ka pasur edhe imami Ardian Sejdiu, i cili është imam i xhamisë “Koha” në Gaçkë të Ferizajt, i cili…

    Lini një Përgjigje

    Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *