Kur po vazhdon shtypja e dhunshme e protestave kudo nëpër Iran nga regjimi i mullahëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë gati për ndërhyrje ndaj vrasjeve masive të protestuesve, përcjell Gazeta KFVA.
Presidenti Donald Trump, sipas raportimeve të shumta, do të thërrasë zyrtarët më të lartë të administratës së tij për ta shqyrtuar goditjen ndaj regjimit në Iran.
Mediat e huaja thonë se presidenti amerikan ka vendosur të ndërhyjë, ashtu siç ishte zotuar në rast se vrasjet nuk ndalen, mirëpo çështja tani mbetet në atë se si do të duket kjo ndërhyrje dhe kur do të ndodhë.
Sekretarja për Media në Shtëpinë e Bardhë, Karoline Leavitt, njoftoi më herët se sulmet ajrore ndaj Iranit janë një opsion në tavolinë, por tha se diplomacia duhet të vijë e para.
Presidenti Trump tregoi në fundjavë se regjimi i mullahëve në Iran kishte kërkuar rifillimin e negociatave për programin bërthamor, meqë nuk duan ta pësojnë edhe më shumë.
Në çfarëdo eventualiteti, SHBA-ja është e përgatitur dhe raportohet se planifikimet për ndërhyrje ushtarake në Iran janë në një fazë të avancuar.
Regjimi i tërbuar i mullahëve ka vazhduar me vrasje masive ndaj protestuesve nëpër qytetet e Iranit, protesta këto që nisën si shenjë revolte ndaj gjendjes së tmerrshme ekonomike në vend.






