“Punën a pensionin?” – Mijëra veteranë të UÇK-së tash mund të përfitojnë nga të dyja, kur do të fillojë zbatimi

 

 

Një vendim i ri i Gjykatës Supreme u jep mundësi veteranëve për kontratë të rregullt pune, pa humbur të gjithë pensionin. Por, a do të sjellë kjo më në fund lehtësim për mijëra veteranë?

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bahri Shala, prej vitesh përballet me probleme ekonomike, pasi mbështetet kryesisht në pensionin e veteranit dhe në punët që i gjen herë pas here.

Si përfitues i pensionit mujor të veteranit luftëtar prej 204 eurosh, 56-vjeçari nuk ka mundur të punojë me kontratë të rregullt.

Kur ka gjetur, ai thotë se ka punuar me ditë punë që ai thotë se “të tjerët nuk i bënin vetë”.

“S’kam mundur të jem me kontratë të rregullt. Por, tash që u bë ky miratim prej Gjykatës, shpresoj që po bëhet më mirë, të këqyri të gjej diku një kontratë. Me 200 euro, qysh t’ia dalim? Rrymë, ujë, bërllok…çka mbetet? Send?”, thotë Shala.

Ai i referohet një vendimi të Gjykatës Supreme, të fundtetorit, i cili e shfuqizoi një nen që u kërkonte veternave dëshmi se ishin të papunësuar për ta marrë pensionin.

Pas këtij vendimi, çdo veteran i punësuar në sektorin privat do të mund ta marrë edhe 50 për qind të shumës së pensioneve.

Se kur do të fillojë zbatimi i vendimit, ende nuk është e qartë.

Ministria e Financave ka thënë se po shqyrton mundësinë e nisjes së zbatimit qysh tash, por se mund të ketë nevojë për ndryshime ligjore shtesë, për të cilat duhet konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thonë se nga ky vendim do të përfitojnë rreth 80 përqind të veteranëve, pasi shumë pak prej tyre janë të punësuar në sektorin publik.

Tani që vendimi është marrë, përfaqësues të veteranëvre shpresojnë se procesi nuk do të pengohet për arsye politike.

Aktualisht, pensionin e veteranit luftëtar e marrin rreth 37 mijë persona.

 

  • Shkrime të ngjashme

    Ky është burri i cili vdiq në aksidentin që ndodhi sonte në rrugën Komoran–Carralevë

    Një aksident i rëndë ka ndodhur sonte rreth orës 19:30 në rrugën Komoran–Carralevë, ku si pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë lënduar. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, teksa shtoi se në…

    Ekstradohet nga Anglia në Kosovë i kërkuari për vrasje në tentativë

    Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datë 15.01.2026  ka bërë ekstradimin e shtetasit kosovar nga Anglia për në Kosovë. Sipas njoftimit të Policisë, i…