Komuna e Kamenicës ndalon pirjen e duhanit në hapësirat e jashtme të institucioneve publike

 

 

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka nxjerrë urdhëresë zyrtare për ndalimin e pirjes së duhanit në të gjitha hapësirat e jashtme të institucioneve publike që janë në administrim të Komunës së Kamenicës.

Urdhëresa, e datës 11 dhjetor 2025, ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, sigurimin e një ambienti pa tym duhani dhe rritjen e nivelit të higjienës publike, veçanërisht në hapësirat ku qarkullojnë qytetarë, fëmijë, nxënës dhe pacientë.

Sipas dokumentit, ndalimi zbatohet në oborre dhe hapësira të hapura të:
• objekteve komunale,
• shkollave fillore dhe të mesme,
• çerdheve dhe institucioneve edukativo-arsimore,
• qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave,
• drejtorive, zyrave dhe njësive vartëse,
• institucioneve kulturore, rinore dhe sportive.

Urdhëresa ndalon jo vetëm pirjen e duhanit, por edhe përdorimin e cigareve elektronike, purove, nargjileve dhe çdo pajisjeje tjetër që lëshon nikotinë apo substanca të ngjashme. Ndalimi vlen për punonjësit, qytetarët, vizitorët dhe personelin e institucioneve përkatëse.

 

Drejtoria e Administratës së Përgjithshme obligohet që brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e urdhëresës të caktojë hapësira të veçanta të jashtme për pirje të duhanit, në distancë të sigurt nga hyrjet, daljet dhe zonat e qarkullimit të qytetarëve, si dhe t’i pajisë ato me sinjalistikë përkatëse.

Zbatimi i urdhëresës do të monitorohet nga Inspektorati Komunal dhe personat përgjegjës të institucioneve publike. Për shkeljet parashihen paralajmërime administrative, masa disiplinore për punonjësit dhe gjoba, në përputhje me Ligjin për Kontrollin e Duhanit dhe legjislacionin në fuqi.

Urdhëresa hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe publikohet në tabelën zyrtare të njoftimeve dhe në faqen zyrtare të Komunës së Kamenicës.

  • Shkrime të ngjashme

    Policia has në mbi 350 automjete të paregjistruara vetëm në dy javët e para të janarit

    Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm brenda dy jave, ka hasur 353 automjete të paregjistruara vetëm në rajonin e Prishtinës, në kuadër të zbatimit të planit operativ “Sezoni Dimëror”. Sipas Policisë, kjo paraqet problem serioz për sigurinë në trafik,…

    Rinumërohen 216 vendvotime, në 15 komuna përmbyllet procesi

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se në 15 komuna është përmbyllur procesi i rinumërimit të votave. Sipas njoftimit, deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë rinumëruar 216 vendvotime nga 914 vendvotime. Komunat në të cilat ka përfunduar…