Botë Lajme

Gaza goditet nga stuhia “Byron”, 14 të vdekur

 

 

Nuk mjafton vetëm lufta, por kanë kundër edhe natyrën. Stuhia “Byron” ka goditur Gazën së fundmi, pasi la Azinë Juglindore, duke vrarë të paktën 14 persona deri tani.

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur rrugë dhe kampe, ndërsa shtëpitë janë shembur, sipas Ministrisë së Brendshme Palestineze.

Ministria Palestineze e Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare thotë se të paktën 14 persona përfshirë gra dhe fëmijë kanë vdekur në Gaza që nga e mërkura për shkak të stuhisë Byron.

Vdekjet lidhen me stuhinë, e cila shkaktoi shira të rrëmbyeshëm dhe erëra në territorin palestinez, si dhe shembjen e shtëpive, sipas një deklarate nga ministria.

Pamjet nga vendngjarjet janë tronditëse, ku gjithçka është në ujë dhe baltë.

Çadrat e refugjatëve dhe shtëpitë e rrënuara nga lufta pësuan dëme të mëdha. Siç raporton Al Jazeera, shtëpitë u shembën për shkak të erërave të forta. Në Rripin verior të Gazës, banorët dhe ekipet e mbrojtjes civile u përpoqën të shpëtonin ata që ishin bllokuar nën një shtëpi të shembur që vrau pesë persona në Beit Lahiya. “Në orën 1 të mëngjesit, fëmija im më tha se ishte i lagur”, tha për Al Jazeera Lamiaa Abdel Dayem, e cila është zhvendosur nga Beit Hanoon. “Burri im u zgjua dhe na gjeti të lagur. Nuk mundëm të shpëtonim asgjë: as ushqim, as rroba, as batanije. Asgjë”, shtoi ajo.

Khalil Ayef, një baba nga Jabalia, tha se shiu nuk pushoi gjithë natën:

“Tenda u përmbyt, mobiljet u shkatërruan. Nuk na ka mbetur asgjë. Ku mund të shkojmë?”

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e OKB-së ka paralajmëruar se shirat e vazhdueshëm në Gaza po përkeqësojnë kushtet e jetesës së qindra mijëra palestinezëve që tashmë jetojnë në kushte të tmerrshme. IOM tha se furnizimet emergjente që ka dërguar nuk janë të mjaftueshme.

“Shumë kampe refugjatësh ndodhen në zona të ulëta, të mbushura me rrënoja, me kanalizime dhe menaxhim të pamjaftueshëm të mbeturinave, duke i ekspozuar familjet ndaj rrezikut në rritje të epidemive dhe rreziqeve të tjera për shëndetin publik, ndërsa përmbytjet përhapen”, tha agjencia.