Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i ka dyfishuar kërkesat e tij kryesore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke deklaruar se Rusia do të lëshojë armët vetëm nëse trupat e Kievit tërhiqen nga territori i pretenduar nga Moska.
Sipas mediave të huaja, Putini ka kohë që kërkon njohjen ligjore të territoreve ukrainase që Rusia i ka pushtuar me forcë.
Ato përfshijnë gadishullin e Krimesë, të cilin e aneksoi ilegalisht në vitin 2014, dhe Donbasin, të përbërë nga Luhansku dhe Donetsku, pjesën më të madhe të të cilit Moska tani e ka të pushtuar.
Për Kievin, i cili ka përjashtuar heqjen dorë nga pjesët e Donbasit që ende mban, shpërblimi i Rusisë për agresionin e saj është një gjë e papranueshme.
Duke folur me gazetarët gjatë një udhëtimi në Kirgistan, Putin akuzoi Kievin se dëshiron të luftojë “deri në ukrainasin e fundit” – gjë që ai tha se Rusia ishte “në parim” gjithashtu e gatshme ta bënte.
Ai përsëriti pikëpamjen e tij se Rusia ka iniciativën në fushën e betejës dhe luftimet do të mbarojnë vetëm kur trupat ukrainase të tërhiqen nga territoret e sulmuara.
“Nëse ata nuk tërhiqen, ne do ta arrijmë këtë me forcën e armëve”, tha mes të tjerash Putin, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, përparimet e ngadalta të Rusisë në Ukrainën lindore kanë ardhur me një kosto të konsiderueshme të fuqisë punëtore. Sipas Institutit për Studimin e Luftës me seli në SHBA, me këtë ritëm do t’i duheshin Moskës pothuajse dy vjet të tjera për të pushtuar pjesën tjetër të rajonit të Donetskut.
