Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person non grata” nga autoritetet e Republikës së Greqisë dhe është ndaluar të hyjë përgjithmonë në territorin grek, pasi konsiderohet “i padëshirueshëm” dhe “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”.
Vendimi është komunikuar të martën në pikën kufitare të Kakavijës, ku Hoxha po udhëtonte drejt Janinës.
Sipas gazetarit, policia greke e kufirit e ndaloi atë në sportelin e kontrollit të pasaportave dhe pasi i mori dokumentin e udhëtimit, e mbajti rreth një orë në komisariat. Rreth orës 10:30, atij i është dorëzuar vendimi që e përjashton nga hyrja në Greqi për një afat të pacaktuar. Në dokumentin zyrtar thuhej se:
1. është karakterizuar si person i padëshirueshëm;
2. konsiderohet rrezik për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve të BE-së.
Pas njoftimit, policia greke i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë nga territori helen.
Ky nuk është rasti i parë i ndalimit të gazetarëve shqiptarë nga autoritetet greke. Më herët, i njëjti vendim është marrë edhe për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, i cili vazhdon të mos lejohet të hyjë në Greqi.
Sipas Hoxhës, vendimi për shpalljen e tij “non grata” është marrë që në fillim të vitit 2024, periudhë kur në Greqi zhvillohej fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Në listën e partisë në pushtet, Nea Dimokratia, kandidonte edhe Fredi Beleri, me shtetësi shqiptare dhe greke, aktualisht i dënuar në Shqipëri.
Hoxha ka qenë një prej gazetarëve që ka raportuar gjerësisht për aktivitetet e Belerit, duke përfshirë rolin e tij në ngjarjet e njohura si “Masakra e Peshkëpisë” të vitit 1994, ku mbetën të vrarë dy ushtarakë shqiptarë dhe u morën peng dhjetëra rekrutë. Për këto çështje, gazetari është përballur edhe me procese gjyqësore në Tiranë gjatë viteve 2023–2024.
Gjatë fushatës së zgjedhjeve europiane, Hoxha ka publikuar artikuj investigativë në disa media greke, duke trajtuar raste të ndihmës që Beleri dyshohet se u ka dhënë shtetasve shqiptarë të dënuar për kriminalitet në Greqi, duke i paraqitur si minoritarë ortodoksë.
Prej 23 vitesh, Hoxha ka publikuar një sërë investigimesh që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro–greke dhe çështje të sigurisë kombëtare, nga skandali i varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, te zhvarrimet e fshatarëve të Kosinës të paraqitur si ushtarë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Ai ka dokumentuar edhe ngjarjen e Bularatit në vitin 2018, duke publikuar pamje të momentit kur Konstandinos Kacifas hapi zjarr ndaj policisë shqiptare.
Sipas gazetarit, shpallja e tij “non grata” është një veprim politik i autoriteteve greke, që sipas tij synon të penalizojë gazetarët shqiptarë që ekspozojnë aktivitete të paligjshme në dëm të interesave shqiptare.
