Bedri Hamza, i vetmi kandidat për Kryetar të PDK’së

Bedri Hamza është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për Kryetar të PDK’së, shkruan KFVA.

Fjalën para delegatëve në Konventën e 12-të të PDK-së, Hamza e ka filluar duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

“Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

“A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.

“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…