Pasi u mandatua, Glauk Konjufca ka thënë se Kurti do të kthehet më i fortë se në vitin 2021, raporton KFVA.
“Më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm. Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave”, ka thënë ai.
“Dua të të siguroj diçka, që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh edhe më fuqishëm se në vitin 2021. Padyshim që ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë”, ka thënë ai.
Konjufca është propozuar pasi Albin Kurti nuk arriti t’i marrë votat.
Kurti në propozim ka thënë se vetë do të jetë kandidat për ministër të Punëve të Jashtme, për çka ishte propozuar herën e shkuar Konjufca.
“Këtë propozim e bëj për shkak të besimit të madh që kam për Konjufcën, por edhe për shkak që të mos bëhen zgjedhje tjera. Unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin”, ka thënë ai.

