Përgjegjësia tek Presidentja për mandatarin, do t’u kërkojë “kompromis politik” partive për të shmangur çdo bllokadë

Pas dështimit për votimin e Qeverisë së re të dielën, tani përgjegjësia ka kaluar tek Presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet t’i ftojë partitë politike për konsultime. Në konsultat që do t’i ketë, Osmani do të bëjë thirrje për kompromis politik.

Këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar për Reporteri.net se Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë.

Ajo do të theksojë edhe rëndësinë e miratimit të buxhetit dhe Planit të Rritjes.

“Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kupina.

Ai ka deklaruar se Osmani do t’i ftoj partitë brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese.

Ndryshe, partitë kanë deklaruar dje se rruga e vetme mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Madje, Kreu i PDK’së, Memli Krasniqi tha se nuk do të marrin mandatin për krijimin e Qeverisë, duke theksuar se asnjë nga partitë nuk i ka numrat.

Ai tha se nuk ka nevojë fare të pritet afati 10 ditor dhe se Osmani duhet t’i ftojë në takim e të shkohet në zgjedhje.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…