Pothuajse gjysma e institucioneve të pavarura dhe agjencive kanë mbetur pa borde aktive, apo gjysmake si pasojë e ngërçit politik në vend. Në mungesë të institucioneve, ato punojnë me borde të pakompletuara, e që sipas instituteve po ndikon në jetën e qytetarëve, pasi nuk i japin llogari askujt për punët që i bëjnë.
Ngërçi politik në vend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit ka ndikuar në punën e gjysmës së agjencive dhe institucioneve të pavarura, duke i lënë pa borde aktive apo me numër të reduktuar.
Për këtë shprehu shqetësim në seancën e së dielës, edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Në mungesë të një kuvendi funksional gjatë këtyre muajve, janë edhe 33 agjenci dhe institucione të pavarura shtetërore që kanë mbetur pa mbikëqyrje institucionale, kjo ka krijuar vakum drejtues, vonesa në vendimmarrje dhe rrezikim në zbatimin e politikave publike”, tha Kurti.
E për këtë çështje, në korrik kishte ngritur shqetësim Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke renditur institucionet që ishin paralizuar dhe ato që pritej të mbeteshin pa bord aktiv. Gzim Shala nga ky institut thotë se jo vetëm kjo legjislaturë është përgjegjëse, por edhe e kaluara.
“Një pjesë tjetër e institucioneve janë duke funksionuar në përbërje jo të plotë, mirëpo nëse vazhdon kjo situatë, numri i institucioneve të cilat do të defunksionalizohen tërësisht vetëm se do të rritet, edhe në situatat kur institucionet funksionojnë për shkak se kanë numrin e nevojshëm të anëtarëve që përbëjnë kuorum, prapë se prapë vendimet janë më legjitime nëse merren në përbërje të plotë”, tha Shala.
Edhe nga instituti tjetër, GAP, thonë se edhe nëse funksionalizimi i agjencive dhe institucioneve do të bëhej shpejt, prapë do të vonohej mbushja e pozitave që kanë mbetur vakante, e që po ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe llogaridhënien e tyre.
“Kosova ka diku rreth 70 komisione, agjensione, institucione të pavarura, të cilat varen nga vendimet e ekzekutivit dhe legjislativit për tu emëruar anëtarët përkatës në borde të këtyre institucioneve, diku 33 prej tyre dalin që nuk i kanë të formuara krejtësisht këto borde, disa i kanë edhe jofunksionale dhe për rrjedhojë natyrisht që secila prej këtyre agjensioneve ose komisioneve ose institucioneve ka impakt të drejtpërdrejt në funksionimin e mirëfilltë të shtetit të Kosovës”, tha Bekim Salihu, GAP.
Sipas KDI-së, në mesin e institucioneve që po funksionojnë me mungesa të anëtarëve ose janë jofunksionale për shkak të mosveprimit të Kuvendit janë Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli i Pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Bordi i KOSTT-i, Agjencia Kosovare e Privatizimit e shumë të tjera, mandati i të cilëve do të përfundojë ditëve në vijim.

