• Sat. Oct 11th, 2025

Kurti futet në afatin kushtetues prej 15 ditësh pa asnjë koalicion – A do të arrijë t’i bëjë 61 për Qeverinë e re?

Bykfvanews

Oct 11, 2025

Pas konstatimit të djeshëm se seanca e Kuvendit të Kosovës është konstituar me zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetari i pestë, sot Lëvizja Vetëvendosje menjëherë ka dërguar tek presidentja e Republikës së Kosovës, emrin e Albin Kurtit si mandatar për krijimin e Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës, Kurti tashmë ka në dispozicion vetëm 15 ditë për të krijuar shumicën e thjeshtë prej 61 votash për formimin e institucioneve të reja.

Megjithatë, aktualisht partia që drejton kryeministri në detyrë, ende s’ka asnjë marrëveshje për koalicion me ndonjë prej partive politike, gjë që do t’i siguronte votat e mjaftueshme për bërjen e Qeverisë së re, shkruan KFVA.N

Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit ka zvarritur për muaj të tërë procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit në mungesë të numrave për zgjedhjen e tij.

Pas zgjedhjeve të shkurtit, Kurti ka zhvilluar takime me pakicat jo-serbe, përkrahjen e të cilëve e ka, ndërkohë bisedime ka pasur edhe me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj.

Pavarësisht takimeve me Limajn, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret për ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje, meqë Limaj kërkonte garanci nga Kurti që i ka 61 votat për krijimin e Qeverisë së re, në këmbim të votave të NISMA-s për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Ndërkohë nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takime rreth krijimit të Qeverisë së re, derisa nga LVV thonë se s’duan institucione të reja që dalin nga një bashkëpunim me PDK-në.

Kurti në Kuvend i ka 56 deputetë, përfshirë Nenad Rashiqin dhe ata të komuniteteve jo-serbe, që janë të pamjaftueshme për votimin e Qeverisë së re, për të cilën kërkohen plotë 61.

Ndonëse s’kanë koalicion me asnjë parti, nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjithë kohës thonë se i kanë votat për krijimin e Qeverisë së re.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar sot se “Qeveria Kurti 3 po vjen”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pasi ka dekretuar Kurtin për krijimin e Qeverisë së re, ka thënë se pret që një gjë e tillë të bëhet shpejt dhe që institucionet e reja të punojnë për të mirën e qytetarëve.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *