Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor dhe në bashkëpunim me institucionet e drejtësisë dhe njësitet tjera relevante, ka kryer ekstradimin e dy të dyshuarve shtetas të Kosovës përmes pikës kufitare Vërmicë.
Të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritetet shqiptare pasi që ndaj tyre ishte lëshuar urdhër arrest ndërkombëtar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për vepra të ndryshme penale, përfshirë grabitje dhe vjedhje grabitqare.
Ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit mes institucioneve të Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Pas mbërritjes në Kosovë, të dyshuarit janë dërguar në njësitet përkatëse të policisë për të vazhduar procedurat ligjore.
Policia e Kosovës bëri të ditur se do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe gjurmimin dhe arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit.
