Kosovë Lajme

AAK nis fushatën për zgjedhjet lokale me moton “Dritë për Komunat”

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më 13 shtator, nga ora 13:00 në Hotel Venus në Prishtinë, hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Me sloganin “Dritë për Komunat”, AAK synon të theksojë qeverisjen e saj të deritanishme, e cila sipas kryetarit Ramush Haradinaj ka sjellë rezultate konkrete, duke ofruar modele të suksesshme të udhëheqjes dhe zhvillimit lokal.

“Kryetarët tanë dhe ekipet qeverisëse kanë arritur suksese të prekshme, duke u renditur lart në tabelat e performancës komunale. Aleanca jonë me qytetarët është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi besim të ndërsjellë”, ka deklaruar Haradinaj.

AAK fton qytetarët, simpatizantët dhe përkrahësit të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje madhore politike, për të nisur së bashku rrugëtimin drejt një zhvillimi të barabartë në të gjitha komunat e vendit.