Humbet interesimi për UP-në, për 5723 vende konkurruan 3398

 

 

Në konkursin për studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës, për 5 mijë e 723 vende, kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj, ka konfirmuar prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës, Majlinda Gjelaj.


Ajo ka thënë se për këtë rënie të interesimit do të bëhen analiza për të parë se cilat janë nevojat për ndryshime dhe përshtatje të programeve me nevojat e tregut të punës.

Ajo ka thënë se rënia është kryesisht në profesionet më klasike. Trendi i rënies, sipas saj, është i ngjashëm me trendët tjerë në Evropë e në botë.

“Po vazhdojnë provimet pranuese në 14 njësitë akademike të UP-së. Interesimi është i ngjashëm me vitin e kaluar, ndërkaq në krahasim me vitet paraprake ka një rënie. Kemi bërë disa analiza dhe vërehet rënie e trendit në disa programe, ndërsa rritje të interesimit në programe të tjera për shkak të ndryshimeve shoqërore, teknike e teknologjike. Interesimi i të rinjve sot ka marrë hov nga ana e shkencave teknike – teknologjike, po ashtu edhe ato mjekësore. Kemi rënie në profesione të tjera më klasike, në krahasim me të kaluarën, siç ka qenë interesim i madh në Ekonomik, Juridik ose Edukim, ku ka pasur të interesuar me numër enorm të kandidatëve. Trendi i rënies është i ngjashëm me trendet e tjera në Evropë dhe në botë, ku rënia është sfiduese”, ka thënë ajo për Radion Kosova.

Gjelaj ka thënë se të rinjtë janë më shumë të interesuar për profesione që kualifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të dalin në tregun e punës sa më shpejt.

Programet më të kërkuara janë Inxhineria Kompjuterike dhe Mjekësia. Në të parën për 250 vende kanë aplikuar 500 kandidatë, e në Mjekësi 1 mijë për 200 vende.

Ndërkaq në degën e Fizikës, për 80 studentë kanë aplikuar vetëm 20 kandidatë, në Kimi, për 60 studentë kanë aplikuar vetëm 15 kandidatë, në Biologji, për 45 studentë, kanë aplikuar vetëm 36 kandidatë.

Ky është afati i parë për aplikim. Programet mund të plotësohen edhe në afatin e dytë.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…