Osmani flet pas takimit konsultative me liderët e partive politike: Brenda 30 ditëve të arrihet një pajtim

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur pas takimeve të ndara që zhvilloi me krerët e partive politike, shkruan KFVA.

Zyra e presidencës në komunikatë thotë se liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Për këtë ka njoftuar zyra e presidencës, ku thuhet se Osmani ka bërë thirrje liderëve që “në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”.

“Presidentja e Republikës së Kosovës sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25. Sot, takimet e para janë mbajtur me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, z.Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj. Liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Njoftimi i plotë:

Presidentja e Republikës së Kosovës sot ka filluar më një cikël të ri konsultimesh lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO 124/25.

Sot, takimet e para janë mbajtur me Kryeministrin në detyrë, njëherësh, kryetar i Vetëvendosjes, z.Albin Kurti, me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Memli Krasniqin, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z.Ramush Haradinaj.

Liderët e këtyre partive kanë paraqitur qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidentja Osmani u ka bërë thirrje liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit.

Ashtu siç ka potencuar edhe në deklarime të mëparme, Presidentja Osmani konsideron se moskonstituimi i institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 9 shkurt të këtij viti dëmton vlerat demokratike si dhe interesat e shtetit tonë, pengon një sërë përftimesh shtetërore që janë në interes të qytetarëve dhe zvogëlon besimin qytetar në institucione.

Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend edhe përgjatë ditëve në vijim, në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…