Lajme Shqipëri

Sot Kurban Bajrami! Besimtarët falen në bulevard, luten për myslimanët në Gaza

 

 

Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin. Falja e Kurban Bajramit këtë vit nuk u bë në Sheshin Skënderbej, por në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shkruan A2 CNN. Ceremoni e faljes nisi në orën 6:15-6:30 më pas besimarët u shpërndanë për të kryer ritet e tjera të kësaj feste. Gazeta solli urimet e mesazhet e besimtarëve. Forcimi në besim, familja, qetësi dhe paqe kudo në botë, ishin disa nga mesazhet e besimtarëve. Por ajo që bie më shumë në sy është mesazhi për luftën në Gaza.

“Na vjen shumë keq për myslimanët në Gaza, inshallah Allahu i mishëroftë. E keqja është se nuk reagon bota për ata. Lutemi për ta”, ishin disa nga mesazhet e përcjella nga myslimanët, sjell A2 CNN.

Festa e Kurban Bajramit është një nga festat më të rëndësishme për myslimanët. Ajo simbolizon sakrificën dhe bindjen ndaj Zotit, duke u bazuar në historinë e profetit Ibrahim, i cili ishte gati të flijonte djalin e tij për hir të zotit. Gjatë kësaj dite besimtarët falin namazin e Bajramit në mëngjes dhe bëjnë kurban, zakonisht një dele, lopë apo dash. Mishi i kurbanit shpërndahet një pjesë për familjen, një për të afërmit dhe një për të varfrit. Festa është gjithashtu kohë për falje, vizita familjare dhe ndihmë ndaj njerëzve në nevojë. /KFVA/