Ministri i Brendshëm i Gjermanisë për bashkimin familjar: Kjo politikë merr fund tani

 

 

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt (CSU) planifikon t’ia paraqesë kabinetit të mërkurën projektligj për të kufizuar ribashkimin familjar për disa kategori refugjatësh. Ministria e Brendshme i konfirmoi agjencisë gjermane të lajmeve dpa (Deutsche Presse-Agentur) një informacion për këtë çështje të botuar nga gazeta Bild am Sonntag. Siç është rënë dakord në marrëveshjen e koalicionit qeveritar mes CDU/CSU dhe SPD, refugjatët me status të kufizuar nuk do të lejohen për dy vjet të sjellin në Gjermani pjesëtarët e familjes së tyre. Përjashtohen rastet jashtëzakonisht të rënda.


Aktualisht, në kuadër të ribashkimit familjar, çdo muaj janë lejuar të vijnë në Gjermani 1000 pjesëtarë të familjeve të refugjatëve, edhe kur këta refugjatë nuk kanë pasur qëndrim të përhershëm në Gjermani, por një status mbrojtjeje plotësues (subsidiar). Kjo mbrojtje zbatohet kur një person nuk pranohet si refugjat, por përballet me rrezik serioz në vendin e tij të origjinës. Dobrindti shtoi se duhet të bëhet e qartë se politika e migrimit në Gjermani ka ndryshuar.

“Deri tani, në Gjermani janë pranuar 1000 vetë në muaj. Tani kjo merr fund”, i tha Dobrindti gazetës Bild. “Ne duhet t’i zvogëlojmë ndjeshëm faktorët tërheqës drejt Gjermanisë. Në këtë mënyrë, ne demonstrojmë gjithashtu se politika e migrimit në Gjermani ka ndryshuar.”

Ribashkimi familjar i mundur që nga viti 2018

Ribashkimi familjar për refugjatët pa status azili ishte pezulluar midis marsit 2016 dhe korrikut 2018 nga koalicioni midis konservatorëve (CDU/CSU) dhe Socialdemokratëve (SPD). Arsyeja e dhënë në atë kohë ishte shmangia e mbingarkesës në pritje dhe në integrim. Që nga gushti 2018, një numër prej 1000 personash në muaj janë lejuar të hyjnë në Gjermani si pjesëtarë të familjeve të personave me këtë status mbrojtjeje.

Protestë nga organizatat joqeveritare

Marrëveshja e koalicionit e vitit 2021 midis SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së në fakt përcaktonte që ribashkimi familjar do të ishte i mundur përsëri pa kufizime për njerëzit në këtë grup. Megjithatë, ky plan nuk u zbatua kurrë. Më shumë se 30 organizata joqeveritare i kanë bërë thirrje qeverisë federale të braktisë planet për të kufizuar ribashkimin familjar për refugjatët dhe në vend të kësaj ta zgjerojë atë.

  • Shkrime të ngjashme

    KQZ rinumëron rreth 30% të vendvotimeve, një kandidati i hiqen 461 vota

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) janë rinumëruar 262 nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në procesin e rinumërimit, që përbën rreth 30 për qind të totalit. Sipas njoftimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), procesi i verifikimit…

    Qumësht me kimikate: Ky është pronari i Lufrës, që përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

    Qumështi dhe kosi i markës Lufra kanë vetëm ngjyrën e bardhë. Nga analizat e kryera nga gazetarët, analiza që përputhen edhe nga kontrollet e AKU-s, ka rezultuar se qumështi dhe nëproduketet e tij si kosi, djathi dhe gjalpi të markës…