Dëshmorët prehen bashkë në Lubozhdë: Berisha, i bashkuam aty ku nisi lavdia…

 

Dëshmorët po i bashkojmë në përjetësi – Trubuhofci përcjell bijtë e lirisë drejt Lubozhdës Trubuhofc/Lubozhdë, 21 maj 2025 – Në një mëngjes të mbushur me dhimbje e mall, por edhe me krenari të thellë, sot në fshatin Trubuhofc janë zhvarrosur trupat e disa prej dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u rivarrosur me nderimet më të larta në Kompleksin Memorial të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” në Lubozhdë të Istogut. Këtë njoftim e bëri deputeti më i zëshëm në Kuvendin e Kosovës, Bekë Berisha, i cili ka qenë vetë pjesë e asaj lufte dhe i lidhur ngushtë me çdo betejë e çdo humbje që kjo tokë ka përjetuar, shkruan Gazeta dhe Agjencia e lajmeve KFVA.

“Sot po i bashkojmë ata që nuk i ndau as plumbi, as errësira, as vdekja. Vëllezërit tanë të armës do të prehen pranë njëri-tjetrit, në vendin ku filloi lavdia dhe ku sot rrah zemra e kujtesës sonë kolektive. Edhe pse kjo ditë ua përvëlon zemrat familjarëve, është edhe një ditë krenarie që flet me gjakun e tyre: mos na harroni”, tha Berisha.

Ai shtoi se kjo iniciativë nuk është thjesht një akt simbolik, por një mision që e fton çdo brez të mos harrojë asnjëherë sakrificën për liri, duke theksuar se lavdia e Brigadës 133 dhe dhimbja e saj janë trashëgimi e pashlyeshme e Kosovës së lirë.

“Lufta, sakrifica, përkushtimi dhe sukseset e bijve dhe bijave të Podgurit nuk janë rrëfim që mbyllet në libra. Janë kujtesë që na rri mbi supe, mallkim që na përcjell për të mos e ulur kurrë kokën para padrejtësisë,” u shpreh ndër të tjera deputeti i AAK-së.

Rivarrimi në Lubozhdë do të shënohet me një ceremoni të veçantë ku pritet të marrin pjesë qindra qytetarë, familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë dhe përfaqësues institucionalë. Dëshmorët po bashkohen në tokën që e deshën më shumë se jetën. Ata nuk kanë vdekur – thjesht janë kthyer në themele të lirisë./KFVA/

 

 

  • Shkrime të ngjashme

    Arratisja e Altin Ndocit, arrestohet pas shkarkimit ish-drejtori i Burgut të Durrësit

    Drejtori i shkarkuar i burgut të Durrësit, Indrit Cërloj, pas arratisjes së Altin Ndocit, është arrestuar nga Policia, si i akuzuar për “shpërdorim detyre”. Pas arratisjes së Ndocit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të…

    Shifrat e fushatës: Sa ka investuar AAK për zgjedhjet lokale

    KQZ ka bërë publike detajet financiare të fushatës së AAK-së për zgjedhjet lokale të këtij viti. Raporti i paaudituar tregon se partia e Ramush Haradinajt ka shpenzuar mbi 24 mijë euro, kryesisht për reklama, paga dhe detyrime të tjera, duke…