Sot tentativa e 14-të për konstituimin e Kuvendit

Sot është përpjekja e 14-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Ngërçi institucional vazhdon, me Lëvizjen Vetëvendosje që këmbëngul në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndonëse nuk ka siguruar votat e mjaftueshme për ta zgjedhur atë, shkruan Gazeta KFVA.

Në mbledhjen e 58-të të Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, kryeministri në detyrë Albin Kurti ritheksoi qëndrimin e partisë së tij, duke theksuar se kjo e drejtë i takon ekskluzivisht subjektit fitues të zgjedhjeve.

“Konstituimi i Kuvendit është i qartë dhe depolitizuar. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese,” deklaroi Kurti.

Ai u shpreh se procedura është formale dhe nuk kërkon koalicione apo negociata.

“S’kërkohet koalicion. Duke e interpretuar ashtu siç e ka interpretuar, Gjykata e ka depolitizuar seancën konstituive, duke e kthyer atë në një formalitet procedural. Pra nuk ka nevojë për koalicione e kalkulime në këtë hap konstituiv. Ajo çka opozita po bën, është bllokadë e panevojshme që ndoshta synon të krijoj imazhin e një Kosove në krizë,” tha ai.

Kurti hodhi poshtë çdo mundësi kompromisi për emrin e Haxhiut dhe këmbënguli se partia e tij ka ofruar një propozim legjitim dhe të drejtë.

“Ne nuk po i kërkojmë opozitës ta votoj qeverinë, por kryetaren e Parlamentit. Zgjedhja e qeverisë është politike dhe nuk kemi propozuar për konstituim të Kuvendit thjesht një emër, kemi propozuar një kandidate grua e cila është njëherit edhe gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit. Disa thonë ‘dikë tjetër por jo Albulena Haxhiun’, disa tjerë thonë ‘pranojmë vetëm këtë apo atë emër’ e disa të tjerë thonë ‘askënd nga Lëvizja Vetëvendosje’, por propozimi është i yni, jo i tyre. Ne nuk po kërkojmë që Albulena të jetë propozimi i tyre dhe Kuvendi konstituohet kur të votohen edhe pesë nënkryetarët,” theksoi Kurti.

Ai gjithashtu mohoi çdo përgjegjësi për bllokadën aktuale, duke fajësuar opozitën për pengesat.

“Ne s’jemi bllokuar, sepse kemi propozuar kandidatin tonë. E kemi bërë në fillim menjëherë. Bllokimi vjen prej atyre që votojnë kundër apo ata që s’votojnë fare,” përfundoi Kurti.

  • Shkrime të ngjashme

    Nëse shihni personin në foto lajmëroni policinë

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për grabitje. Në njoftimin e lëshuar nga ana e Policisë, është shpërndarë edhe një foto e te dyshuarit. “Të nderuar, për çdo informatë që mund të…

    Shtëpia e Bardhë sfidon Grenlandën: Nga cila anë, o grenlandezë?

    Shtëpia e Bardhë publikoi së fundmi një grafik që ilustron Grenlandën para një zgjedhjeje strategjike: ndikimin amerikan ose atë ruso‑kinez. Postimi paraqet një person me flamurin e Grenlandës pranë një kryqëzimi rrugësh, ku një rrugë çon drejt Shtëpisë së Bardhë…