Adoleshentë të armatosur, çfarë dëshmojnë grupet në “Snapchat” ku nxënësit po ekspozojnë armë

 

 

Adoleshentë që në dorë kanë armë, me një muzikë “rap” në sfond. Fotoja apo videoja zhduket pas 24 ore, por ndikimi i saj mbetet. Të nesërmen një tjetër adoleshent e bën të njëjtën gjë. Dhe një tjetër pas tij.

Në një cep të vogël të një “Shared Story” në “Snapchat”, po zhvillohet një konkurs i heshtur: kush duket më i rrezikshëm?

Fëmijë të armatosur. Rrjetet sociale po shndërrohen në vitrinë të armatimit ilegal dhe glorifikimit të dhunës.  Disa të rinjtë në Kosovë, po përdorin mediat sociale jo vetëm për t’u lidhur mes vete, por për të ndërtuar një identitet të bazuar në frikë, dominim dhe dhunë të mundshme.

“Betimi për Drejtësi”, për më shumë se një muaj, ka identifikuar dhe monitoruar disa grupe në median sociale “Snapchat” të njohura si “shared story”, apo “storje të përbashkëta”. Pra është një histori ku disa përdorues mund të shtojnë foto dhe video, duke ndarë momente së bashku në një vend të vetëm.

Këto grupe, të krijuara nga fëmijë dhe adoleshentë kryesisht nga qyteti i Skënderajt janë bërë adrese e shpërfaqjes se armëve.

“02”, zerodyshat, “trimche”, “albushe”, janë disa prej këtyre grupeve që janë identifikuar gjatë hulumtimit. Emri i grupeve në disa raste edhe ka ndryshuar, por jo edhe përmbajta. Secili prej këtyre grupeve, ka rreth 500 anëtarë që një pjesë e madhe janë anëtarët e njëjtë.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me disa nga krijuesit e këtyre grupeve për të parë se cili ka qenë qëllimi i hapjes se tyre dhe nëse janë të vetëdijshëm për materiale që postohen.

L.H, krijues i grupit “02”, thotë se grupi u hap me qëllim të postojnë nga jeta e tyre.

“Jo motër ky grup është për qejf  me qit storie a pe din me kallxu jetën tane so për armë. Po qifti i gjithkujt qet armë, ma shum o per jet. E qa te hin ne pun ty ky sen qe e kum kriju une storyn 02”, ka thënë njëri prej përgjegjësve të faqes.

Ai pyetet se pse si krijues i grupit ka lejuar të postohen këto lloj përmbajtje.

“S’mun i nal”, përgjigjet ai.

Kur pyetet për moshën, ai përgjigjet që i ka 19 vjet, por në fakt “Betimi për Drejtësi”, mëson se ai është i mitur dhe është nxënës i shkollës fillore.

L.H thotë se do ta mbyllë grupin.

“Qetash e msheli krejt unë”, shkruan ai.

Por, pse këtë nuk e kishte bërë me herët kur ka parë që armët po ekspozoheshin.

“Qa me bo oj motër unë, pse me mbyllë për qejf u hap ajo. E vërtetë, po s’mun i nal nejse ashtu kështu plan e kom pas me mshele. E msheli për pak”, shton ai.

Ai thotë se nuk është i vetmi që ka grupe të tilla, sipas tij këto grupe ekzistojnë në çdo qytetet të Kosovës.

“Nuk jam veç unë që kam story, ka shumë story tjera, shumë e shumë ku postojnë armë”, ka thënë ai.

Ndonëse ai tha se do ta mbyllë grupin, deri në publikimin e këtij hulumtimi grupi vazhdon të jetë aktiv.

  • Shkrime të ngjashme

    Përfundon rinumërimi në Kaçanik – një kandidateje i hiqen 100 vota

    Kaçaniku është komuna e dytë e cila ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave, një ditë pas Komunës së Dragashit. Bazuar në të dhënat e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dallime të konsiderueshme janë vërejtur në mes numërimit të…

    Treni përplaset me autobusin në Hamburg, një i vdekur dhe dhjetë të plagosur

    Një përplasje midis një autobusi dhe një treni vrau një person dhe plagosi dhjetë të tjerë në zonën e portit të Hamburgut këtë të premte, tha shërbimi zjarrfikës për AFP. Të gjithë të plagosurit ishin brenda autobusit, përveç burrit që…